Kryeministri Kurti viziton policin e plagosur sot në veri të vendit

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se ka vizituar policin e plagosur në veri të Kosovës.

Një polic është vrarë dhe një tjetër është plagosur në një sulm që institucionet e Kosovës po e cilësojnë si terrorist në Banjskë, në veri të vendit.

Sipas kryeministrit, polici i plagosur është Alban Rashiti, i cili tashmë është operuar.

“Operacioni i heqjes së predhës nga krahërori i majtë i policit Alban Rashiti është kryer me sukses sot në mëngjes. Predha ishte e një granate dore që e hodhën kriminelët e orkestruar nga Serbia në drejtim të policisë së Kosovës gjatë sulmit të tyre terrorist afër urës në Banjskë të Zveçanit” – ka thënë Kurti.

Tutje ai ka shtuar se gjatë vizitës në Klinikën Kirurgjike të QKUK-së ka takuar edhe familjen e Alban Rashitit, e cila erdhi nga Velekinca e Gjilanit.

Polici i plagosur, Alban Rashiti, sipas Kurtit do të lirohet sot nga spitali.