Vritet një polic i Kosovës, plagoset një tjetër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se mëngjesin e sotëm në fshatin Banjska të Zveçanit është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur.

Sipas Kurtit, i vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare.

Kurti po ashtu ka bërë të ditur se në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri ndaj Policisë së Kosovës. Sipas tij, sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur dhe me armë të rënda.

“Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve” – ka thënë Kurti.