Ndërrimi i barit në “San Siro” kushtoi 800 mijë euro më lirë sesa në “Fadil Vokrri”

Veç 800 mijë euro më pak se institucionet e Kosovës paguajtën klubet milaneze për shtrimin e barit hibrid. Ndërkaq, Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe Ministrisë së Kulturës i kushtoi 1.3 milion për shtrimin e këtij lloji të barit në “Fadil Vokrri”, që pritet të kryhet para ndeshjeve të “Ligës së Kombeve” në shtator.

Përveç kostos më të lirë, menaxhmenti i klubeve italiane e shtroi barin edhe në një afat më të shkurtër kohor. Pra, për 10 ditë. Ndërkaq, në komunikatën e FFK’së u tha se punimet do të jenë për “disa muaj në vazhdim”, shkruan Insajderi.

“Punimet e kësaj fushe do të vazhdojnë me intensitet të lartë për disa muaj në vazhdim, derisa ndeshja e parë në fushën e rinovuar pritet të zhvillohet në korrik”, thuhej në njoftimin e FFK’së për fillimin e punimeve, ku për t’iu bërë promocion punëve ishin Agim Ademi e Hajrulla Çeku.

Kontrata për realizimin e punimeve për ndërrimin e barit klubeve prestigjioze milaneze iu kushtoi vetëm 500 mijë euro. Në anën tjetër, Agim Ademi me Hajrulla Çekun me anë të një kontrate një burimore i “derdhën” 1.3 milion euro nga buxheti i shtetit. 800 mijë euro më shtrenjtë sesa dy klubet me histori të gjatë në futbollin evropian.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, për këtë ka ngritur dyshime për kontratën një-burimore të arritur për rinovimin e stadiumit “Fadil Vokrri”.

Haxhiu me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se kontrata një-burimore për fushën me bari sintetik hibrid kushton 1.3 milion euro. Teksa sipas tij në çmimet e tregut s’kushton më shumë sesa 270-300 mijë euro.

“Ministri duhet te tregoj për kontratën një burimore për fushën me bari sintetik hibrid në vlerë 1.3 milion qe në çmimet e tregut nuk kushton me shumë se 270-300 mijë euro. Unë e kam ngritur në Kuvend këtë zhvatje, vjedhje, korrupsion të Qeverisë dhe kam kërkuar që Prokuroria të hetoj këtë rast, ku u “tretën” 1 milion euro me kontratën një burimore?”, ka deklaruar ai.

https://m.facebook.com/bekimhaxhiuofficial/posts/962046345289628?ref=embed_post&wtsid=rdr_0krZITvZGaWGYAmQ5