Qytetarët e Kosovës e kanë humbur të drejtën e tyre ligjore për kompensim për faturat e rrymës që kanë paguar në emër të banorëve të katër komunave veriore, nga viti 1999 deri më 2012.
Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, shpjegon për Radion Evropa e Lirë se kërkesat për kthim borxhi ose dëme të shkaktuara mund të bëhen në mënyrë retrospektive për vetëm pesë vjet – në të kundërtën, afati ligjor për ushtrimin e kësaj të drejte skadon.
Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi pohojnë të njëjtën gjë, duke thënë se, bazuar në Ligjin për marrëdhëniet e detyrimeve, qytetarët e kanë humbur tashmë të drejtën e kompensimit për faturat e paguara për 13 vjet.
Nga 1 qershori i këtij viti do të nisë kompensimi i tyre vetëm për faturat e paguara nga viti 2012 deri më 2017 – proces ky që do të zgjasë deri në vitin 2030.
Ky vendim u mor muajin e kaluar, bazuar në një padi të ngritur nga Avokati i Popullit në vitin 2017.
Me kërkesë të gjykatës, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) i obligoi shërbimet e shpërndarjes së energjisë elektrike që t’i kompensojnë konsumatorët.