I vdiq babai në Qabe, flet djali i tij: S’mundëm ta varrosnim në vendlindje, vdekje të tillë pak kush përjeton

Mensur Gashi, djali i të ndjerit, Muharrem Gashit, i cili vdiq në Mekë gjersa ishte atje për pelegrinazh, ka rrëfyer se si e kanë marrë lajmin për vdekjen e babait të tij.

Në emisionin “Rreth e Rrotull” në RTV Dukagjini, nën emocione, Gashi thotë se lajmin për vdekjen e babait e kanë marrë nga përfaqësuesi i Bashkësisë Islame në Podujevë, i cili gjendej në Haxh.

“Lajmin e kemi marrë dje nga Bashkësia Islame, nga përfaqësuesi i BIK-ut në Podujevë që gjendet në Haxh”, ka thënë Gashi.

“Humbje e madhe për familjen tonë, vdekja të tillë pak kush përjeton. Prindi im ka mbet jetim që në moshën 15-vjeçare, ai ka falë namaz që atëherë, ëndrra e tij jetësore ka qenë me kry obligimin fetar në Qabe”, ka theksuar ai.

“Prindi u varros dje në qytetin e Mekës. Është si ligj atje ka vdek atje varroset. Nuk ka qenë e mundur të sjellet në vendlindje për varrim”, ka përfunduar Gashi.