Dogana e Kosovës konfiskon afër gjysmë milioni euro ari dhe argjend

Rreth gjysmë milioni euro ari dhe argjend pa dokumentacion janë konfiskuar nga Dogana e Kosovës në qytetin e Prizrenin, pas një operacion të përbashkët me zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës në disa argjendari.

“Zyrtarët e Doganës së Kosovës dhe Administratës Tatimore të Kosovës kanë kryer një operacion të përbashkët kontrolli në pesë argjendari në qytetin e Prizrenit. Ky operacion u fokusua në identifikimin e mallrave pa prejardhje të dokumentuar në kuadër të përpjekjeve për të luftuar kontrabandën dhe tregtinë e paligjshme”, thuhet në njoftimin e doganës.

Sipas njoftimit në këtë operacion janë konfiskuar 10 kilogram ari dhe 3 kilogram argjend pa dokumentacion të rregullt. Vlera totale e këtyre mallrave të konfiskuar, sipas doganës, arrin rreth 450 mijë euro.