Proces verifikues për prindër që përfitojnë nga shtesa për fëmijë, ka nisur Ministria e Financave. Në njoftimin nga ky institucion thuhet se ky verifikim shtesë kërkohet për të vërtetuar që përfituesit jetojnë në Kosovë. Përgjegjësia për administrimin e dokumenteve të nevojshme u është bartur Qendrave për Punë Sociale. E në këto institucione ankohen se nuk kanë mjaftueshëm staf për këto përgjegjësi.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka nisur një proces verifikues për disa nga përfituesit e shtesave për fëmijë.
Në emailin që Ministria ua ka dërguar disa prindërve thuhet se përkohësisht pezullohet pagesa e shtesave për fëmijë, deri kur në Qendrën për Punë Sociale (QPS) të komunës ku jetojnë të dërgojnë dokumente për verifikim.
Ministria ka kërkuar nga përfituesit që në QPS të dërgojnë këto dokumente: kopjen e letërnjoftimit, një faturë të shërbimeve publike, si dhe për fëmijët nga mosha 0-6 vjeç librezën e vaksinimit, e për ata mbi 6 vjet vërtetimin nga shkolla.
“Programi i spër fëmijë është i dedikuar për të gjithë fëmijët që janë shtetas të Republikës së Kosovës dhe jetojnë në Kosovë. Bazuar në të dhënat që posedon sistemi ynë, rezulton se llogaria juaj ka nevojë për verifikim shtesë, për të siguruar që ju dhe fëmijët jetoni në Kosovë”, thuhet në e-mailin e Ministrisë.