Reperi i njohur shqiptar, Mozzik, është ndaluar nga Dogana e Kosovës në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, pasi dyshohet se ka tentuar të hyjë në vend me dy orë super të shtrenjta – një Richard Mille dhe një Rolex – pa i deklaruar, me vlerë totale 1.340.027,50 euro.
Sipas Doganës, duke qenë se shmangia e detyrimeve doganore kapte shumën mbi 5.000 euro, është njoftuar Prokuroria dhe është urdhëruar sekuestrimi i përkohshëm i mallrave si dhe intervistimi i reperit.
Mozzik u mor në pyetje më 17 shtator dhe u lirua në procedurë të rregullt, por dy orët luksoze mbeten të ndaluara deri në një vendim të mëtejmë të Prokurorisë.