Dogana e Kosovës ka zbuluar dhe ndaluar tri raste të kontrabandës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, gjatë një operacioni të zhvilluar së fundmi.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit të një pasagjeri që udhëtonte nga një destinacion ndërkombëtar, zyrtarët doganorë kanë zbuluar disa telefona të fshehur në trupin e tij – të cilët dyshohet se ishin të destinuar për tregun e zi.
Në një rast tjetër, një udhëtar tjetër u kap duke tentuar të kontrabandojë telefona të mençur, gjithashtu të fshehur me qëllim shmangien e kontrolleve doganore.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të bagazhit të njërit prej pasagjerëve, janë zbuluar 36 mijë e 500 euro të padeklaruara, nga të cilat 9 mijë euro janë konfiskuar, në përputhje me legjislacionin përkatës që rregullon qarkullimin e mjeteve monetare në kufi.
“Rasti është referuar për hetime të mëtejshme te Drejtoria e Hetimeve të Doganës së Kosovës, për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore dhe veprimet tjera procedurale”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Dogana më 20 shtator 2025.