Cllevio kthehet nesër në Shqipëri nga Dubai!

Pas tre muajsh heshtje dhe mister në rrjet, rep-artisti Kleviol Ahmeti, i njohur gjerësisht si Cllevio, pritet të kthehet nesër në Shqipëri – por jo si yll muzike, por i shoqëruar nga Interpol-i.

Burime për Express bëjnë me dije se Cllevio është ndaluar në Dubai, në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku më pas ka firmosur për ekstradim drejt Shqipërisë, për t’u përballur me akuza që, sipas tij, janë të motivuara nga kundërshtarët e tij.

Ekstradimi i reperit do të ndodhë më 8 tetor, dhe mbërritja e tij në Tiranë pritet të hedhë dritë mbi të gjithë rrjedhën e ngjarjeve që e çuan në pranga jashtë vendit.

Një figurë kontroverse në showbiz-in shqiptar, Cllevio ka bërë gjithmonë bujë përmes deklaratave të forta, videove virale dhe përfshirjes së tij në debate të ashpra publike. Mungesa e tij e gjatë nuk ka kaluar pa u vënë re – rrjetet sociale janë përmbytur nga pyetje e kërkime të fansave për vendndodhjen dhe fatin e tij.

Tani që kthimi i tij është i sigurt, të gjithë sytë janë sërish tek Cllevio. A do të tregojë ai versionin e tij të së vërtetës? A do të rikthehet në skenën muzikore apo përballja me drejtësinë do ta mbajë larg vëmendjes?

Një gjë është e sigurt: rikthimi i Cllevios nuk do të kalojë pa zhurmë.