Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka ngritur alarmin për procesin zgjedhor në Kosovë, duke kërkuar rinumërim të plotë të votave në gjithë vendin, pa asnjë vonesë.
Pas zbulimit të mospërputhjeve serioze gjatë rinumërimit të pjesshëm, Hamza thotë se situata është e papranueshme dhe se institucionet duhet të reagojnë menjëherë, përndryshe rrezikohet rëndë besimi i qytetarëve në zgjedhje.
“Janë tepër shqetësuese mospërputhjet e mëdha të zbuluara gjatë rinumërimit të pjesshëm të votave. Rinumërimi i plotë në gjithë Kosovën është i pashmangshëm dhe i drejtë”, ka deklaruar Hamza.
Ai thekson se institucionet përgjegjëse kanë detyrim kushtetues për ta mbrojtur integritetin e votës, duke paralajmëruar se çdo vonesë apo hezitim do të ketë pasoja të rënda për demokracinë.
“Çdo vonesë apo hezitim është cenim i drejtpërdrejtë i besimit qytetar”, shkruan Hamza.