Arrestohen 109 komisionerë për manipulim votash,të dyshuarit ndalohen për 48 orë

Në një aksion të gjerë të Policisë dhe Prokurorisë në Prizren, më 23.01.2026 janë ndaluar për 48 orë 109 komisionerë të dyshuar për manipulim të votave në zgjedhjet e 28.12.2025. Aksioni u zhvillua pas dyshimeve për parregullsi në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit po hetohen për falsifikim të rezultateve të votimit, kanosje dhe dhënie ose marrje ryshfeti në lidhje me votimin. Në operacion u angazhuan katër prokurorë dhe rreth 200 zyrtarë policorë.

Prokuroria ka bërë të ditur se, brenda afateve ligjore, do të vlerësojë parashtrimin e kërkesës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.

“Pas autorizimit nga Prokuroria dhe në kuadër të këtij hetimi, pas intervistimit lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, nga neni 216, “Kanosja” nga neni 181, “Dhënia ose marrja e ryshfetit të lidhje me votimin” nga neni 212 të KPRK-së, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë, njëqind e nëntë (109) persona”- thuhet në komunikatën e lëshuar më 21.01.2026.