Khaby Lame shet kontrollin e biznesit të tij në një marrëveshje gati 1 miliard dollarëshe
Ylli më i madh i TikTok-ut ka shitur paketën kontrolluese të kompanisë që menaxhon aktivitetet e tij, duke shënuar një nga marrëveshjet më të mëdha në historinë e krijuesve digjitalë. Megjithëse kontrolli ka kaluar te Rich Sparkle Holdings, Khaby mbetet aksioner dhe pjesë kyçe e së ardhmes së biznesit.
Transaksioni u krye përmes Step Distinctive Limited, ndërsa kontrolli i biznesit kaloi te Rich Sparkle Holdings përmes një marrëveshjeje “all-stock”, me një vlerë të përllogaritur mes 900 dhe 975 milionë dollarë.
Khaby Lame u bë fenomen global gjatë pandemisë së COVID-19, pasi humbi punën në një fabrikë në Itali dhe iu përkushtua krijimit të përmbajtjes. Videot e tij pa fjalë, ku ironizon “life hacks” të komplikuara me zgjidhje të thjeshta, kapërcyen barrierat gjuhësore dhe kulturore, duke i sjellë mbi 360 milionë ndjekës në mbarë botën.
Deri tani, suksesi i tij ishte i bazuar kryesisht në bashkëpunime me marka dhe fushata reklamuese. Marrëveshja e re me Step Distinctive e ndryshon rrënjësisht këtë model.