Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar tërheqjen e menjëhershme nga tregu të produktit Aptamil AR2, i cili përdoret si ushqim për foshnje.
Sipas njoftimit zyrtar të AUV-it, në këtë produkt është identifikuar prania e substancës Cereulide, një toksinë e rrezikshme që prodhohet nga disa lloje të bakterit Bacillus cereus. Ky bakter lidhet drejtpërdrejt me helmime ushqimore dhe paraqet rrezik serioz për shëndetin, veçanërisht te foshnjat.
“Duke qenë se niveli i rrezikut është vlerësuar serioz, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në bashkëpunim me kompaninë importuese, ka ndërmarrë masa të menjëhershme për tërheqjen nga tregu të produktit, APTAMIL AR 2 – formulë ushqimore për foshnje, paketimi, ENG 24 x 400 gr. Prodhuar nga Nutricia Infant Nutrition Ireland Ltd. (Danone), importues në Kosovë: UNION SH.P.K., Vushtrri” – thuhet në komunikatën e AUV-it më 26.01.2026.