Franca ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç

Ligjvënësit francezë kanë miratuar një projektligj që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën 15 vjeç, një masë që pritet të hyjë në fuqi nga shtatori i ardhshëm. Vendimi vjen mes shqetësimeve në rritje për bullizmin online dhe ndikimin negativ në shëndetin mendor të të miturve.

Presidenti Emmanuel Macron e cilësoi nismën si një “hap të madh” për mbrojtjen e fëmijëve, duke theksuar se emocionet e tyre nuk duhet të manipulohen nga platformat dhe algoritmet. Ligji parashikon verifikim të detyrueshëm të moshës nga platformat digjitale, në përputhje me rregullat e BE-së, dhe tani pret miratimin përfundimtar në Senat.

“Fëmijët tanë lexojnë më pak, flenë më pak dhe krahasojnë veten më shumë me njëri-tjetrin,” theksoi ai. Ish-Kryeministri Gabriel Attal, i cili udhëheq partinë Renaissance të Macronit në dhomën e ulët, nënvizoi se “platformave të mediave sociale do t’u duhet deri më 31 dhjetor për të çaktivizuar llogaritë ekzistuese” që nuk përputhen me kufirin e moshës.