Ka ndërruar jetë e moshuara e cila në nëntor të vitit 2022 ishte keqtrajtuar nga punëtoret e Qendrës për të Moshuar në Pejë” Orenda”, rast ky i cili kishte tronditur opinionin publik
Më 2 nëntor të vitit 2022, një qytetare kishte publikuar një video në rrjetin social Facebook, ku shihej një infermiere duke e sulmuar një të moshuar.
E moshuara shihej në video duke tentuar të largohet dhe duke bërë përpjekje ta mbrojë veten, përderisa infermierja vazhdimisht e godet me shuplaka në fytyrë dhe me këmbë në bark.
Sipas aktakuzës, tri të pandehurat në cilësinë e infermiereve në shtëpinë e kujdesit për të moshuar “Orenda”, me dashje dhe në bashkëkryerje kanë përdorur forcë ndaj të moshuarës, e cila ishte e vendosur në ketë strehimore.
Qendra “Orenda” më pas ishte mbyllur nga organet përgjegjëse, ndërsa të dyshuarave u ishte caktuar paraburgimi teksa një vendim i Gjykatës Supreme i kishte liruar nga paraburgimi.