Policia tregon se çfarë gjeti në shtëpitë e dy të dyshuarve për spiunazh

Dy të dyshuarve shqiptarë të arrestuar për spiunazh, B.Sh dhe M.Q, u janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuterë, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska, gazmaska ushtarake si dhe shumë dëshmi të tjera.

Një informacion të tillë shtesë në lidhje me arrestimin e dy të arrestuarve në Ferizaj më 05.06.2024, e ka bërë të ditur Policia e Kosovës në raportin 24 orësh.

Policia njoftuar se gjatë kontrollit në lokacionin e të dy të dyshuarve janë sekuestruar këto dokumente dhe pajisje si prova materiale.


Dogana e Kosovës përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook ka reaguar në lidhje me njërin nga të arrestuarit për spiunazh, duke thënë se i arrestuari me inicialet B.Sh. është pushuar nga puna nga Dogana 20 vite më parë e që nga atëherë ky person nuk ka lidhje me këtë institucion.

Në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, vepra penale e spiunazhit hyn në kuadër të veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Ai renditet në nenin 124 të këtij Kodi dhe nënkupton disa situata ku ndër to është; kur sekreti shtetëror i komunikohet, dorëzohet, apo i bëhet i arritshëm shtetit të huaj, organizatës së huaj apo personit që u shërben atyre.

Sipas kësaj, dënueshmëria minimale është 5 vjet burg, kurse maksimale është 12 vjet.