Emrat e Jahjagës dhe Pacollit shfaqen në dokumentet Epstein

Në dokumentet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë për rastin e financierit Jeffrey Epstein, përmenden edhe dy ish-presidentë të Kosovës: Atifete Jahjaga dhe Behgjet Pacolli.

Një e-mail i vitit 2012, dërguar nga një person me emrin “Daniel”, përmend një takim të mundshëm në New York mes Jahjagës dhe një princeshe nga Tajlanda:

“Mirë se vini në Paris,

Princesha nga Tajlanda do të jetë në New York, Kombet e Bashkuara, me presidenten e Kosovës.

Ajo do të donte të ju takonte nëse keni kohë këtë javë.

Gjithë të mirat,

Daniel.”

Këshilltarja e Jahjagës, Valentina Abazi, ka deklaruar se ish-presidentja nuk e ka takuar kurrë Epsteinin dhe nuk ka pasur dijeni për të.

Në dokumente përmendet edhe Behgjet Pacolli, përmes një e-maili me titull “Kush është Behgjet Pacolli?”. Ai ka mohuar çdo lidhje, duke theksuar se asnjëherë nuk është takuar apo komunikuar me Epsteinin.

Dosjet përfshijnë miliona faqe dhe materiale multimediale, ndërsa autoritetet amerikane sqarojnë se përmendja e emrave nuk nënkupton përfshirje në veprimtari kriminale.

Jeffrey Epstein vdiq në vitin 2019 në burg, duke lënë pas një nga skandalet më të mëdha seksuale në SHBA.