Një ngjarje e rëndë dhe thellësisht prekëse ka tronditur Rahovecin dhe më gjerë. Nevruz Krasniqi (34) nga fshati Dejnë ka humbur jetën aksidentalisht derisa ishte duke prerë një lis.
Sipas informacioneve, ai ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar pa shenja jete në Spitalin e Gjakovës, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh, duke bërë të ditur se me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Kjo humbje është edhe më e dhimbshme pasi i ndjeri ishte babai i tre fëmijëve, ndërsa bashkëshortja e tij është shtatzënë.
Lajmi ka prekur thellë banorët e fshatit Dejnë, të cilët e përshkruajnë Nevruzin si njeri të ndershëm dhe familjar të përkushtuar.
Nga fshati kanë bërë të ditur se familjarët do të njoftojnë me kohë për ceremoninë e varrimit.