Sheh Imami nga Kosova dënohet në Zvicër: 3.5 vjet burg për mashtrim miliona frangësh

Një “sheh-imam” 57-vjeçar nga Kosova është dënuar nga Gjykata e Dietikonit, afër Cyrihut, me 3 vjet e gjysmë burg dhe ndalim hyrjeje në Zvicër për 3 vjet, për mashtrime sistematike që shkaktuan 1.5 milionë franga dëm.

Sipas gazetës Tages-Anzeiger, ai kishte ndërtuar një skemë kriminale familjare, duke përfshirë gjashtë anëtarë të familjes dhe dy ndihmës. Para autoriteteve deklarohej si i varfër, ndërsa jetonte në një vilë luksoze me qira 24 mijë franga në muaj.

Hetimet nisën pas një bastisjeje policore, ku u zbuluan firma fiktive, dokumente të falsifikuara dhe përfitime të paligjshme nga kreditë emergjente të Covid-19, mbi gjysmë milioni franga.

Luksi ishte tronditës: familja zotëronte deri në 120 vetura luksoze, përfshirë Porsche, Mercedes dhe Hummer, si dhe kishte shpenzuar 100 mijë franga për targa speciale prestigji.

Gjykata liroi ose dënoi lehtë ish-bashkëshorten dhe fëmijët, duke theksuar se familja funksiononte nën një strukturë strikte patriarkale. Dy prej fëmijëve do të dëmshpërblehen me rreth 70 mijë franga, pasi paraburgimi i tyre u cilësua i pajustifikuar.