AMK këshillon qytetarët si të sigurohen për cilësinë e arit dhe argjendit para blerjes

Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK) u bën thirrje qytetarëve që gjatë blerjes së arit dhe argjendit të kontrollojnë vulën e verifikimit dhe të kërkojnë dokumentacionin përkatës, për t’u siguruar për pastërtinë dhe cilësinë e produkteve.

Përmes laboratorit të specializuar, AMK analizon përbërjen e arit, argjendit, platinit dhe paladiumit, duke verifikuar nëse produktet i përmbushin standardet ligjore. Pas rezultateve pozitive, produktet pajisen me vulën përkatëse të verifikimit.

Ky proces synon mbrojtjen e konsumatorëve nga deklarimet e pasakta për pastërtinë e metaleve të çmuara dhe rritjen e besimit në treg. Gjatë vitit 2025, në laboratorin e AMK-së janë pranuar 470 kërkesa për verifikim.

AMK rikujton se verifikimi i produkteve është detyrim ligjor për operatorët ekonomikë para vendosjes së tyre në treg, ndërsa mosrespektimi i legjislacionit mund të sjellë sanksione ligjore.