Përparim Rama intervistohet nga Prokuroria Speciale për kontratën 12 milionë euroshe

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është intervistuar sot nga Prokuroria Speciale e Kosovës në cilësinë e të pandehurit, lidhur me hetimet për projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”.

Rama është paraqitur në Prokurori i shoqëruar nga avokati i tij, Artan Çerkini. Prokuroria ka konfirmuar se intervistimi lidhet me dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në fokus të hetimeve është kontrata e vitit 2022, me vlerë prej 12 milionë eurosh dhe kohëzgjatje 36 muaj, e lidhur për shërbimet e Arkitektit të Kryeqytetit.

Rreth kësaj kontrate ndër vite janë ngritur shqetësime për procedurat e tenderimit, përfshirë dyshime për parregullsi në dokumentacion dhe konflikt të mundshëm interesi.

Rama ka deklaruar se është i gatshëm të bashkëpunojë me organet e drejtësisë, ndërsa avokati i tij ka shprehur gatishmërinë për të ofruar sqarimet e nevojshme.

Hetimet e Prokurorisë Speciale janë në vazhdim. Deri më tani nuk ka vendim përfundimtar për përgjegjësinë penale të Ramës.