Familjet në Kosovë pritet të përfitojnë më shumë mbështetje financiare përmes shtesave për fëmijë. Kjo pasi Qeveria ka miratuar Projektbuxhetin për vitin 2027, ku është paraparë rritja graduale e këtyre pagesave.
Sipas planit të prezantuar, shtesat do të rriten nga 1 janari 2027, ndërsa procesi do të vazhdojë çdo vit deri në vitin 2030, kur synohet dyfishimi i shumës që familjet marrin aktualisht.
Sa do të rriten shtesat për fëmijë?
Rritja është paraparë të realizohet në katër faza:
- 2027: Rritje prej 25 për qind.
- 2028: Rritje e re prej 25 për qind.
- 2029: Vazhdon rritja me 25 për qind.
- 2030: Synohet arritja e dyfishimit të shtesave.
Shembuj konkretë për familjet:
- Familjet me dy fëmijë, që aktualisht marrin 60 euro në muaj, do të marrin 75 euro.
- Familjet me katër fëmijë, që aktualisht përfitojnë 180 euro, do të marrin 225 euro në muaj.
Kjo nënkupton se që nga fillimi i vitit 2027, familjet do të kenë më shumë të ardhura nga shtesat mujore për fëmijët.
Rritja synon të lehtësojë shpenzimet e prindërve për nevojat e fëmijëve, ndërsa Projektbuxheti 2027, në vlerë prej 4.27 miliardë eurosh, tashmë është miratuar nga Qeveria dhe pritet të kalojë në Kuvend për shqyrtim dhe votim.
Vendimi përfundimtar do të varet nga procedimi dhe miratimi i buxhetit në Kuvend.