Prishtinë, 3 nëntor 2026 – Kosova ka bërë sot një hap të rëndësishëm drejt digjitalizimit të shërbimeve publike, me lansimin e Platformës Nacionale të Identitetit Elektronik (eID), Kuletës Digjitale dhe aplikacionit për nënshkrim elektronik, iSIGN.
Kjo nismë synon t’ua lehtësojë qytetarëve kryerjen e procedurave administrative, duke zvogëluar nevojën për dokumente fizike, printime dhe vizita nëpër institucione.
Si funksionon Kuleta Digjitale?
Në praktikë, Kuleta Digjitale funksionon si një portofol elektronik në telefonin tuaj. Përmes aplikacionit Kosovo Wallet, qytetarët do të mund ta ruajnë identitetin e tyre elektronik dhe ta përdorin atë për t’u identifikuar në mënyrë të sigurt në shërbimet digjitale.
Për ta aktivizuar, qytetarëve u nevojitet një dokument i vlefshëm identifikimi i Kosovës, një telefon inteligjent me numër telefoni kosovar dhe një adresë aktive e-maili. Pas instalimit të aplikacionit, ata mund të ndjekin procedurën e regjistrimit për të pajisur veten me identitet elektronik.
Një tjetër risi është aplikacioni iSIGN, përmes të cilit dokumentet mund të nënshkruhen elektronikisht, pa pasur nevojë të printohen apo të nënshkruhen fizikisht.
Sipas ministrit të Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, identiteti elektronik do të mundësohet fillimisht përmes shtatë qendrave rajonale të regjistrimit civil, duke u zgjeruar më pas edhe në komunat e tjera.
Kuleta Digjitale do të jetë e disponueshme për pajisjet Android dhe iOS, ndërsa shërbimet ofrohen falas për qytetarët.