BERLIN – 4 nëntor 2026
Një zhvillim i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor që dëshirojnë të punojnë në Gjermani. Bundestagu debatoi sot për të ardhmen e rregullores së njohur si Westbalkanregelung, përmes së cilës punëtorët nga Ballkani mund të punësohen në Gjermani edhe pa pasur domosdoshmërisht diplomë profesionale të njohur në Gjermani.
Partia e të Gjelbërve kërkoi që kuota aktuale prej 50.000 miratimesh në vit të ruhet. Megjithatë, qeveria gjermane ka ndërmarrë një hap drejt përgjysmimit të saj, nga 50.000 në 25.000 punëtorë në vit, duke filluar nga 1 janari 2027.
Vendimi i qeverisë u mor sot në mbledhjen e kabinetit, ndërsa propozimi për ruajtjen e kuotës prej 50.000 u trajtua veçmas në Bundestag. Pra, bëhet fjalë për dy procedura të ndryshme, jo për një vendim të vetëm për vizat.
Çfarë do të thotë kjo për qytetarët e Kosovës?
Rregullorja vazhdon të jetë në fuqi. Qytetarët e Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës mund të aplikojnë për punë në Gjermani përmes kësaj skeme, nëse plotësojnë kushtet dhe kanë një ofertë konkrete pune.
Përgjysmimi i kuotës ende nuk është përfundimtar: duhet të marrë miratimin edhe të Bundesratit (Këshillit Federal). Nëse miratohet, nga viti 2027 numri i miratimeve të reja do të kufizohet në 25.000 në vit.